Nga:Ben Blushi
Sa më shumë lexoj shtypin perëndimor, aq më shumë besoj se bota jeton në të shkuarën. Nuk lexon dot asgjë për të ardhmen. Ka qindra pyetje për sot dhe asnjë përgjigje për nesër.
A do jete bota njëlloj?
A do kthehet lufta në një perpetum, pra nga një luftë, shkojmë në një tjetër dhe nga aty në një dhe prapë në një tjetër ?
Apo, pas kësaj lufte, do mbizotërojë një paqe e gjatë në të cilën, vendet e mëdha vendosin që vendet e vogla duhet të binden dhe kur nuk binden, nuk mund të rezistojnë, sepse askush nuk i mbron sic po ndodh në Ukrainë?
Përveç rendit ndërkombëtar, a do ndryshojnë dhe rendet kombëtare?
Pra nëse do ndryshojnë kufijtë si ne Ukrainë, a do ndryshojë edhe kapitalizmi bashkë me demokracinë si rend, duke u shndërruar në diçka tjetër që nuk e kemi njohur?
Shumica prej nesh, kanë jetuar në një botë përgjithësisht të rregullt, deri sa ndodhi Ukraina. Rregull do të thotë, që kufijtë nuk ndryshohen me dhunë dhe se popujt vendosin, çfarë sistemi do të ndjekin, kapitalist, komunist apo hibrid.
Sot kemi dy Kore dhe dy sisteme. Nëse një ditë ato bashkohen, njëri nga dy sistemet do bjerë. Deri dje, do vija bast se në çdo rast, Koreja kapitaliste do triumfonte mbi Korenë komuniste. Por sot, apo më saktë nesër, nëse Kina dhe Rusia përmbysin balancën e rendit ndërkombëtar, nuk vë më bast për Korenë e Jugut. Ky kalë nuk e ka të sigurt fitoren në hipodromin e Azisë.
Njëlloj si dy Koretë, është bota sot. Mund të shkojë edhe andej edhe këndej.
Ne jemi rritur me besimin se, Perëndimi gjithmonë fiton, sepse është në anën e duhur të historisë, sepse ka demokraci, prandaj ka fuqi, ka para, ka shpikje, ka ushtritë më të përgatitura dhe armët më të forta.
Ne jemi rritur me besimin se, Perëndimi gjithmonë fiton, sepse është në anën e duhur të historisë, sepse ka demokraci, prandaj ka fuqi, ka para, ka shpikje, ka ushtritë më të përgatitura dhe armët më të forta.
Po pse Gjermania e Hitlerit a nuk ishte Perëndim? A nuk kishte aty demokraci, zgjedhje, shtyp të lirë dhe prandaj shumë shpikje dhe zhvillim?
A nuk e solli zhvillimi nazizmin dhe dhunën e Gjermanisë ndaj botës?
Historia e Gjermanisë naziste ka treguar se e drejta nuk është gjithmonë në Perëndim dhe se demokracia nuk pengon dot gjithmonë dhunën dhe luftën e popujve, me popujt e tjerë.
Prandaj pyetja si mbrohet Perëndimi nga vetë Perëndimi mbetet ende një pikëpyetje. A është demokracia e Perëndimit e pakthyeshme? A na mbron ajo nga vetë Perëndimi?
Historia nuk na ndihmon të parashikojmë çfarë ndodh pas Ukrainës. Ne po shohim çfarë po ndodh në Lindje, por nuk e dimë ende se çfarë mund të ndodhë në Perëndim,aty ku jemi dhe ne. Dhe kush lexon të djeshmen natyrisht është pesimist për të ardhmen.
Një nga përfundimet e luftës në Ukrainë mund të jetë një botë e ndarë mes të mëdhenjve. Një botë me perde. Ku të mëdhenjtë merren vesh për tu bërë më të mëdhenj dhe të vegjlit pranojnë fatin që iu është caktuar nga të parët.