Shtyhet sërish seanca gjyqësore e caktuar për këtë të martë në Gjykatën e Apelit për statutin e PD, ankimim i bërë nga grupi i demokratëve të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj.

Bëhet me dije se seanca është shtyrë për shkak se mungonte gjyqtarja Emona Muçi për arsye shëndetësore. Seanca është shtyrë për ne datën 20 dhjetor ora 09:30.

“Ne vijim te komunikimeve mbi veprimtarine e Gjykates se Apelit Tirane, ju njoftojme se:

Sot me date 06.12.2022, ora 09:30, ishte caktuar seanca gjyqesore e ceshtjes civile  me pale Partia Demokratike e Shqiperise.

Trupi gjykues qe e shqyrton ceshtjen perbehet nga gjyqtaret: Irida Kacerja (relatore), Genti Shala dhe Emona Muçi.

Seanca e sotme nuk u zhvillua pasi nje nga anetaret konkretisht Gjyqtare Emona Muci per arsye shendetesore nuk eshte e pranishme. Seanca e rradhes u caktua me date 20.12.2022 ora 09:30” thuhet në njoftim.

Pas përfundimit të Kuvendit të 11 Dhjetorit, Komisioni i Rithemelimit i dërgoi në gjykatë ndryshimet e miratuara në statutin e PD-së, ku ndër të tjera u vendos edhe shkarkimi i strukturave drejtuese të partisë. Gjyqtari Agron Zhukri vendosi t’i regjistrojë këto ndryshime duke njohur kështu Komisionin e Rithemelimit, si organin drejtues të partisë.

Disa ditë më pas, Enkelejd Alibeaj e ankimoi vendimin e gjyqtarit Zhukri në Apel duke kërkuar shfuqizimin e vendimit të shkallës së parë dhe njohjen e statutit të miratuar në Kuvendin e 18 Dhjetorit, ku ndër të tjera përjashtohet edhe Berisha nga partia përmes një neni të posaçëm që përcakton largimin nga PD të çdo personi të shpallur “non grata”.

Edhe deputetët e PD janë ndarë në dy kampe. Demokratët që janë me Alibeajn, më herët janë shprehur se nëse Gjykata e Apelit vendos t’ia japë vulën Sali Berishës, atëherë dhe ata do t’i bashkohen, pavarësisht shpalljes non-grata.