Kur u bë pjesë e “Big Brother” mbrëmjen e 24 dhjetorit, ndoshta Luiz Ejlli nuk e dinte se çfarë e priste. Këngëtari e shfrytëzoi këtë mundësi si “shpresa” e fundit për të gjetur treg në vendin tonë, por duket se fitoi shumë më shumë se kaq.
Mbrëmjen e sotme, do të mbahet edhe finalja e spektaklit, ku të gjitha sondazhet e nxjerrin fitues të këtij formati. Por edhe nëse nuk ndodh kështu, Luiz Ejlli ka fituar tashmë shumë.
Ashtu si vetë këngëtari nga Shkodra bëri me dije, kur u bë pjesë e lojës, humbi punën dhe la jashtë një sërë borxhesh që e prisnin. Por, teksa kanë kaluar më shumë se 3 muaj brenda shtëpisë, vihet re një transformim rrënjësor i Luizit dhe sigurisht që është për mirë.
Ndryshimi duket si në “look” ashtu edhe në sjellje. Nëse në javët e para Luizi kishte armë të fortë vetëm batutën, tani në fund të këtij edicioni ai është “armatosur deri në dhëmb”, duke pasur shumë tipare që po pëlqehen në publik.
Ejlli ka ditur të ndryshojë për mirë sjelljen, dhe qëndrimin, kjo falë edhe kuratorëve të imazhit të tij. Ai është shndërruar sot në djalin trendi që shumë të rinj po e kopjojnë. Mjafton të përmendim momentin kur Luizi leu flokët biond dhe shumë shpejt trendi u përhap në masë te të rinjtë shqiptarë të cilët vrapuan “ta kopjonin”. Ndryshimi vihet re edhe në stilin e veshjes.
Ndonëse erdhi në lojë me shumë pak veshje dhe ashtu si ai vetë e tha këto ishin gjithçka që kishte. Duke lënë mënjanë kostumet e burrave demode, Luizi tashmë vlerësohet nga ekspertët e stilit si një nga banorët e veshur më mirë brenda shtëpisë.
Kostumet sportive, aksesorët, këmisha dhe palltot që janë në gardërobën e Luizit, tashmë kushtojne mijëra euro, duke u shndërruar në një ndër imazhet më të kuruara të vendit tonë. Por jo vetëm veshjet firmato janë ato që do të ndryshojnë jetën e Luizit. Të gjithë po presin me shumë interes edhe dasmën që ai dhe Kiara do të mbajnë mbrëmjen e finales në “Big Brother”.