Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, ka thënë për mediat shtetërore se forcat e tij nuk do të bashkohen me trupat ruse në pushtimin e Ukrainës.

Lukashenko, i cili është një aleat i ngushtë i Vladimir Putin, tha se “ushtria bjelloruse nuk po merr pjesë në aksione ushtarake kundër Ukrainës dhe kurrë nuk ka marrë pjesë”.

“Ne mund t’ia dëshmojmë këtë kujtdo. Për më tepër, udhëheqja ruse nuk e ngriti kurrë këtë çështje me ne – përfshirjen tonë në konfliktin e armatosur. Dhe ne nuk kemi ndërmend të marrim pjesë në këtë operacion special në Ukrainë në të ardhmen”, u shpreh Lukashenko.

Dje ishte ngritur frika se Lukashenko po përgatitej të dërgonte një forcë ushtarake për t’u bashkuar në sulmin në Kiev.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Ned Price, tha të hënën se Rusia kishte “tallur” sovranitetin e Bjellorusisë duke nisur pushtimin e saj të Ukrainës nga territori bjellorus./abcnews.al/