Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është caktuar nga Këshilli i Europës si reporter për konsfiskimin e aseteve ruse dhe vënien e tyre në përdorim për rindërtimin e Ukrainës.

Në mbledhjen e sotme të Komitetit të Çështjeve Politike dhe Demokracinë në Asamblenë Parlamentare në KE, u votua emërimi i Bashës në këtë post të ri europian.

Basha kishte paraqitur një projekt-rezolutë në KE ku propozonte konfiskimin e të gjitha aseteve ruse, krijimin e një fondi ndërkombëtar ku do të depozitoheshin këto asete dhe shfrytëzimi i tyre për të riparuar dëmet e luftës në Ukrainë.

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen ka kërkuar që Rusia t’i paguajë të gjitha dëmet e luftës në Ukrainë. Për këtë do të shfrytëzohen pasuritë e oligarkëve rus që do të mbulojnë kostot e rindërtimit në Ukrainë.

Projekt-Rezoluta e paraqitur nga Lulzim Basha në KE:

Përgjegjësia për krimet dhe demet e shkaktuara në Ukrainë nga agresioni i paprovokuar i Rusisë është i presidentit të Rusisë Vladimir Putin dhe duhet te paguajë për të.

Ndërkohë që Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar urdhër arresti për Putin, duke e akuzuar për krime lufte, tashmë Rusia duhet të paguaj për rindërtimin e Ukrainës së shkatërruar nga bombardimet ruse.

Sipas të drejtës ndërkombëtare, Federata Ruse ka detyrimin për të kompensuar Ukrainën, qytetarët, sipërmarrjet dhe qeverinë e saj, për dëmet e shkaktuara nga aktet e paligjshme të Federatës Ruse. Këto detyrime përcaktojnë detyrën e vendeve të treta për të garantuar që asetet sovrane të Federatës Ruse që ndodhen nën juridiksionet e tyre të vendosen në dobi të Ukrainës si dhe për të krijuar një tribunal ndërkombëtar kompensimi për të siguruar që dëmet e shkaktuara nga Rusia të dëmshpërblehen në përputhje me normat ndërkombëtare, jurisprudencën dhe parimet e vendosura të kontabilitetit.

Përmes kësaj rezolute të publikuar në faqen zyrtare të Këshillit te Europës, e cila është e mbështetur nga përfaqësues të të gjitha grupeve parlamentare kërkohet:

Krijimin e një fondi ndërkombëtar ku të depozitohen asetet e Federatës Ruse për të paguar projektet e infrastrukturës në Ukrainë; Transferimin e kapitaleve të ngrira të Federatës Ruse në fondin ndërkombëtar;

Krijimin e një tribunali kompensimi për të gjykuar, në përputhje me normat e vendosura gjyqësore, kërkesat e paraqitura nga Ukraina në emër të individëve, subjekteve dhe instancave qeveritare, ose drejtpërdrejt nga individët dhe subjektet e saj, siç do të parashikohet nga rregullat e tribunalit.