Në ndryshim nga sa u tha fillimisht, se në orën 17:00 të pasdites së sotme, Lulzim Basha do të mblidhte vetëm grupin parlamentar, tashmë duket se mbledhja do të jetë e përmasave më të mëdha.
Burime bëjnë me dije se veç deputetëve, në selinë blu do të jenë të pranishëm gjatë ditës së sotme dhe anëtarët e kryesisë dhe kolegji i kryetarëve. Këta të fundit janë të vetmit që kanë qëndruar në krah të Bashës edhe pas humbjes së 6 Marsit.
Kryetarët e degëve kanë fajësuar deputetët për humbjen, me pretendimin se ata nuk kanë qenë aq sa duhet të pranishëm në zonat e tyre elektorale.
Mbeten dy skenarë në tavolinë për mbledhjen e sotme, e para është dorëheqja e Bashës, e cila do t’iu komunikohej në një kohë të gjitha strukturave, dhe skenari tjetër ajo që kryedemokrati të mos e lëshojë karrigen.
Kjo do të sillte padyshim edhe një përplasje në mbledhjen e sotme, ku një pjesë e mirë e deputetëve i kërkuan atij dorëheqjen, duke i lënë edhe afate kohore.