Macron mori 27.6% te votave, Le Pen fitoi 23.4%

Emanuel Makron ka fituar raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, por Franca do shkojë në balotazh për të zgjedhur kreun e ri të shtetit. Kur janë numëruar më shumë se 97 për qind e votave të zgjedhjeve të raundit të parë, Makron ka marrë 27.6%.

Ai do të sfidohet në raundin e dytë qe mbahet më 24 Prill nga kandidatja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, e cila të dielën siguroi 23.41%. Në vendin e tretë në zgjedhjet e djeshme u rendit kandidati i së majtës Jean-Luc Melenchon, i cili ka marrë rreth 22% të votave.

Fituesi i garës për Pallatin Elysee do të varet shumë nga mbështetja që do të bëjnë rivalët e Macron dhe Le Pen, ku një rol përcaktues do të ketë edhe qëndrimi që do të mbajë pikërisht kandidati i së majtës Jean-Luc Melenchon.

Ai në një reagim pas zgjedhjeve të djeshme tha se mbështetësit e tij nuk duhet t’i jepnin asnjë vot Le Pen, por ndryshe nga kandidatët e tjerë nuk mbështeti as presidentin aktual.