Organizoi aktivitet politik në kundërshtim me Aktin Normativ për marrjen e masave parandaluese për përhapjen e COVID-19, ndëshkohet me masë administrative 5.000.000 lekë, përfaqësuesi i një subjekti politik.
Njëkohësisht ndëshkohet me masë administrative 1.000.000 lekë, edhe administratorja e lokalit e cila lejoi zhvillimin e këtij aktiviteti.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, pas konstatimit në rrjetet sociale se përfaqësuesi i një subjekti politik konkretisht shtetasi E. B., kishte organizuar dhe zhvilluar në ambientet e një lokali në qytetin e Maliqit, një aktivitet duke krijuar grumbullime personash në kundërshtim me Aktin Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020, Neni 3, pika 2, e kanë ndëshkuar me masën administrative 5.000.000 lekë.
Gjithashtu është ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, shtetasja Z. B., pasi lejoi zhvillimin e aktivitetit në ambientet e lokalit që ajo administron, duke shkelur Aktin Normativ.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë apelon për të gjithë qytetarët, pronarët dhe administratorët e lokaleve, që të respektojnë me korrektësi masat anticovid për të bërë të mundur shkëputjen e zinxhirit të infektimit nga virusi dhe fton qytetarët të denoncojnë në Komisariatin Dixhital cilindo që nuk respekton këto masa kufizuese duke u kthyer në burim rreziku për qytetarët.
Top Channel