Në komisionin për punën, çështjet sociale dhe shëndetësinë po mbahet një dëgjesë me Ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu për masat e marra për fillimin e vitit shkollor dhe akademik për përballimin e pandemisë.

Që në nisje të mbledhjes, Manastirliu ka pasur përplasje me deputetët e opozitës, të cilëve iu ka kërkuar që të vendosin maskat, pasi janë të parët që japin shembuj të keq për qytetarët.

Por kaq ka mjaftuar që të ndizen debatet, ku deputetët e opozitës i kujtuan Manastirliut stadiumet e tejmbushura dhe ceremonitë në ambiente të mbyllura. Hipokrizi e quajti shumica e deputetëve sjelljen e Manasitrliut, ndërkohë që në asnjë institucion nuk respektohen masat.

Pjesë nga debati në Komision:

Ogerta Manastirliu: Asnjë këtu, ose pjesa dërrmuese e opozitës nuk vë maskë. Ne duhet të jemi të parët që duhet të vendosim maskën, do të jem e detyruar që të flas me maskë, ne duhet të jemi të oarët që kujdesemi për shëndetin e fëmijëve dhe familjarëve tanë

Albana Vokshi: Jam shumë dakord me atë që thoni ju, por për këta fëmijët çfarë do bëjmë

Petrit Vasili: Zonja ministre flasim për thelbin, nuk do të flassim për dukjen. Janë 20 mijë njerëzit në stadiumin Qemal Stafa ata që i japin përgjigjen më të mirë kësaj hipokrizie. E nëse doni të bindni shqiptarët që e zgjidhni problemin me maskat e këtyre njerëzve këtu është hipokrizi e madhe. Keni bërë ceremoni në ambient të mbyllur në opera, mos më detyroni që të nxjerr foton këtu. Na i kurseni këto hipokrizira, nëse më thjoni që ndonjë nga këto nuk është e vërtetë unë tërhiqem.

Orjola Pampuri: Nuk e mbaj maskën këtu, auditorëte studente pa maska, autobuzët të mbushura me njerëz pa maskë. Të gjitha janë pa maska kur ne futemi në godinën e Kuvendit, le ti lëmë këto andralla, për linjat e autobusëve moj zonjë, teatrot janë plot.