Manchester United ka pësuar humbje 1-0 në udhëtim te West Ham United në kuadër të javës së 35-të në Ligën Premier.

Hammers e nisën ndeshjen më mirë dhe me çka edhe u shpërblyen pak minuta më vonë.

Ishte minuta e 27-të kur Said Benrahma përfitoi nga një gabim i mbrojtjes së United, për më shumë edhe nga gabimi i David de Geas që nuk ia doli të ndalte goditjen e tij të lehtë nga distanca.

Djajtë e Kuq tentuan t’i barazonin shifrat qysh në minutën e 33-të përmes Antonys, por gjuajtja e tij ishte e pasaktë.

Benrahma (45+1’) kishte një mundësi të artë, mirëpo goditja e tij nuk ishte e fortë për të mposhtur portin spanjoll për herë të dytë.

Edhe pjesa e dytë nisi më mirë për West Hamin, derisa në minutën e 52-të Michail Antonios iu anulua një gol për një faul të shkaktuar në ndërtimin e aksionit.

Vendasit kishin një tjetër gol të anuluar, pasi Tomas Soucek (74’) ishte në pozitë jashtë loje.

Pas javës së 35-të, Manchester United gjendet në vendin e katërt me 63 pikë, një më shumë se Liverpooli që është në të pestin, ndërsa në xhiron e 36-të do të kenë punë me Wolverhamptonin.