Në Maqedoninë e Veriut ka nisur seanca ku do të votohet për qeverinë e Talat Xhaferit, i cili do të bëhet politikani i parë shqiptar që do të ketë postin e kryeministrit në këtë shtet.

Gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, Xhaferi u shpreh se qeveria teknike që ai do të udhëheqë, do të përmbushë prioritetet strategjike.

Xhaferi shtoi se Maqedonia e Veriut do të ruajë partneritetin me NATO-n dhe do t’i mbetet besnike politikave të Bashkimit Evropian.

Duke e marrë parasysh se kjo qeveri është propozim pas negociatave të partive politike, unë dhe qeveria që do të udhëheq, do të zbatojmë politikat e pranuara. Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka mandat për përmbushjen e prioriteteve strategjike. Sundimi i  të drejtës, lufta kundër korrupsionit, mbetet politika qendore dhe strategjike e qeverisë. Rekomandimet e OSBE ODIHR në bashkëpunim me Kuvendin, do të jenë pikënisja për implementin për ndryshime në legjislacionin zgjedhor. Do ruajmë parteritetin në kuadër të aleancës së NATO, do i mbetemi besnikë politikës së jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian.

Lufta kundër gjuhës së urrejtjes, do të jetë obligim i qeverisë edhe më tej. Do të mbështesim investimet për kulturën dhe zhvillimin e sportit në vend. Më lejoni të falenderoj për besimin e dhënë, Ali Ahmetin, Presidentin Pendarovski dhe deputetët në Maqedoninë e Veriut”, theksoi ai./abcnews.al