Sot do të nënshkruhet marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane për përmirësimin e rrjetit energjetik. Marrëveshja nënshkruhet nga Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe Zëvendësministri i Jashtëm italian, Edmondo Cirielli.

Gjatë fjalës së saj, ministrja theksoi kjo marrëveshje parashikon përmirësimin e rrjetit shpërndarës të energjisë në Shkodër, Lezhë dhe Fushë-Krujë. Balluku tha se qeveria do të marrë 35 milionë euro hua për të zhvilluar këtë projekt, ku në fokus do të ketë përmirësimin e nënstacioneve ekzistues.

Deklarata e plotë e ministres:

Marrëveshja që po nënshkruajmë sot është një kontribut i vyer i Qeverisë Italiane, një nga partnerët, por nuk është rasti për të thënë thjesht partnerët, por nga miqtë më të afërt dhe më të vjetër të Republikës së Shqipërisë.

Kështu që kjo marrëveshje sot na bën dy herë të gëzuar edhe për shkak të marrëdhënieve shumë të ngrohta që populli shqiptar dhe populli italian ka, por edhe për shkak se kjo marrëveshje kontribuon në investime në sektorin energjetik, një nga sektorët më të rëndësishëm dhe më kritik në Republikën e Shqipërisë, sidomos edhe nën dritën e situatës që kemi kaluar jo vetëm ne, por mbarë Europa dhe bota gjatë vitit 2022, për shkak të krizës energjetike.

Kjo mbështetje që do të firmosim sot, përmes një marrëveshje, vjen në kuadrin e Konferencës së Donatorëve, “Bashkë për Shqipërinë”, një konferencë e cila bëri bashkë të gjithë miqtë, partnerët ndërkombëtarë për të mbështetur Shqipërinë për të gjitha dëmet e ndodhura nga tërmeti i nëntorit 2019-ës. Vetëm para pak ditësh kam qenë në Bruksel për të marrë pjesë në një konferencë të ngjashme në këtë rast, “Bashkë për Turqinë dhe Sirinë” dhe për të thënë të drejtën sigurisht edhe ne si vend kemi kontribuar në mënyrën tonë modeste, por Shqipëria ishte një vend që ndihej i detyruar dy herë, jo vetëm sepse populli turk është një tjetër popull mik, por nga ana tjetër na është kujtuar momenti i vështirë i shkurtit 2020, kur të gjithë partnerët tanë dhe partnerët italianë sigurisht, miqtë tanë italianë dhe të gjithë miqtë e tjerë ndërkombëtarë, na janë gjendur pranë, duke na dhënë një dorë për të dalë nga situata e vështirë që ishte krijuar nga tërmeti i 2019-ës.