Procesi gjyqësor ndaj Erjon Alibejt, i akuzuar si organizator i vrasjes së Emiljano Ramazanit dhe Rigers Runajt në Elbasan është futur në ngërç pas dëshmisë së Henrik Hoxhajt bashkëpunëtor i drejtësisë i arrestuar së bashku me Nuredin Dumanin.

Në seancën e së hënës, avokati i një tjetër të penduari, Xhuliano Hoxhës, ka kërkuar të administrohet dëshmia e Henrik Hoxhajt që ka treguar se vrasjen e Ramazanit e ka kryer Skerdi Tase dhe ai ka luajtur rolin e shoferit.

Sipas Hoxhajt, vrasja është  organizuar nga Nuredin Dumani, ndërsa urdhërues ka qenë Erjon Alibej.

Por ndryshe pretendon Euglen Halili dhe Xhuljano Hoxha që kanë treguar se vrasjen e kanë kryer ata me porosi të Alibejt.

Seanca e së hënës është shtyrë dhe do të mbahet më 6 shtator, për t’i lënë kohë avokatëve të administrohet dëshmia e Henrik Hoxhajt.