Policia e Fierit ka arrestuar 25-vjeçarin Kledi Mile pasi qarkullonte me armë pa leje në makinën e tij.
Arrestimi i 25-vjeçarit është kryer në flagrancë, ku i riu ishte duke qarkulluar me automjetin e tij tip “Ford”, me pasagjer shtetasin G. K., 23 vjeç, banues në Verri, Fier, i cili edhe ky i fundit është arrestuar për moskallëzim krimi.
Në makinë janë sekuestruar një armë zjarri pistoletë, një krehër dhe 10 fishekë, ndërsa në kontrollin e bërë në shtëpinë e tij u gjet një armë gjahu sportive pa leje dhe fishekë luftarak .
Njoftimi i plotë i policisë:
Goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje. Qarkullonte me armë zjarri me vete, kapet dhe arrestohet në flagrancë 25-vjeçari. Procedohet penalisht dhe 1 shtetas tjetër, për veprën penale “Moskallëzim krimi”. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, një armë gjahu sportive pa leje dhe municion luftarak.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në zbatim të planit të masave për mbajtjen nën kontroll të personave me tendenca kriminale, kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri pa leje, kanë intensifikuar punën dhe si rezultat i kontrolleve të shtuara kanë arrestuar në flagrancë shtetasin K. M., 25 vjeç, banues në Verri, Fier.
Ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë, në afërsi të fshatit Verri, duke qarkulluar me automjetin tip “Ford”, me pasagjer shtetasin G. K., 23 vjeç, banues në Verri, Fier.
Gjatë kontrollit në automjet u gjet një armë zjarri pistoletë, një krehër dhe 10 fishekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e 25-vjeçarit u gjet dhe sekuestrua një armë gjahu sportive pa leje dhe fishekë luftarak.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. M., për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, si dhe u procedua penalisht, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, shtetasi G. K.
Materialet procedurale në ngarkim të këtyre shtetasve do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës sëShkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme