Katër shtetas mbetën në det me një pedalon që nuk po e nxirrnin dot në breg për shkak të erës së fortë dhe dallgëve të larta në Gjirin e Ksamilit.
Policia Kufitare dhe Delta Force iu erdhën në ndihmë 4 shtetasve, 2 prej të cilëve ishin të mitur dhe u bë e mundur nxjerrja e tyre në breg.
Njoftimi i Policisë:
Gjiri i Ksamilit
Mbetën në det, me një pedalon, të cilin nuk e nxirrnin dot në breg për shkak të erës dhe dallgëve të larta, Policia Kufitare dhe Delta Forcë iu shkojnë në ndihmë 4 shtetasve (2 prej tyre të mitur).
Pas kërkesës për ndihmë, të ardhur për 4 shtetas të cilët ishin bllokuar në det me një pedalon që nuk mund ta nxirrnin në breg, për shkak të ndryshimit të menjëhershëm të kushteve meteorologjike dhe dallgëve të larta të detit, shërbimet e Policisë Kufitare të Sarandës dhe ato të repartit të Delta Forcës kanë organizuar punën, me qëllim ofrimin e menjëhershëm të ndihmës.
Si rezultat i mbërritjes së shpejtë në zonën e sinjalizuar, të 4 shtetasit (2 prej tyre të mitur) janë shpëtuar dhe janë nxjerrë në breg, në gjendje të mirë shëndetësore.
Policia e Shtetit fton çdo qytetar/turist që gjendet në një nevojë që lidhet me detyrat funksionale të Policisë, të kërkojë ndihmë, dhe reagimi do të jetë i menjëhershëm.