Partia Demokratike ka paraqitur kërkesën në Policinë e Tiranës për organizimin e protestës së nesërme që parashikohet të zgjasë dy orë.
PD ka kërkuar leje për protestën që do të mbahet para godinës së Kryeministrisë nga ora 19:00 deri në orën 21:00. Për rrjedhojë do të bllokohet edhe aksi rrugor në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Sakaq, për mirëmbajtjen e protestës pritet të angazhohen rreth 1,200 efektivë të Policisë, FNSH, Shqiponja dhe Gardës.
PD ka paralajmëruar për një protestë të madhe me pjesëmarrës nga të gjitha qytetet si dhe diaspora, ndërsa paralajmërime ka pasur edhe në drejtim të uniformave blu, nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili kërkoi të mos provokohen protestuesit.
Në protestë është parashikuar të ketë disa folës, ndërsa Berisha tha se do të jetë i fundit që do të mbajë fjalën e tij.