Organizatorët e Lojërave Olimpike në Tokio thanë se 153 njerëz të akredituar për Olimpiadën, kanë rezultuar pozitivë me koronavirus qysh në fillim të muajit – 16 prej tyre vetëm në 24 orët e fundit.

Totali përfshin 19 atletë. Disa prej tyre janë banorë të Fshatit Olimpik, ku 16 njerëz kanë dalë pozitivë. Ata janë larguar nga apartamentet dhe janë vendosur në hotele karantinë.

E shtyrë për një vit për shkak të pandemisë së koronavirusit, Olimpiada ka nisur më 23 korrik. Qyteti mikpritës, Tokio, është në gjendje të jashtëzakonshme për shkak të rasteve me koronavirus, ashtu si edhe tri prefektura fqinje.

Edhe tifozët nga Japonia, edhe ata nga jashtë janë ndaluar të marrin pjesë në ngjarjet olimpike. Olimpiada do të përfundojë më 8 gusht. Disa ditë më pas, më 24 gusht, nisin Lojërat Paralimpike. /REL