155.463 vaksinime janë kryer deri më tani në vendin tonë, pasi u mbyll dita e pestë e vaksnimit masiv.

16.617 qytetarë janë vaksinuar vetëm sot, ndërsa ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu theksoi se nuk do të ndalemi me fushatën e vaksnimit masiv.

“Nuk do të ndalemi me fushatën #ShqipëriaBuzëqesh, derisa qytetari i fundit të jetë vaksinuar. Më shumë se 155 mijë vaksinime anticovid”, tha Manastirliu.

Prej pesë ditësh tashmë, në vend vijon vaksinimi masiv ndërsa në sheshin “Skënderbej” janë ngritur dy çadra ku po kryhet vaksinimi i të moshuarve mbi 75-vjeç, me vaksinën kineze “Sinovac”.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri me dije ditën e djeshme se krahas 20 mijë vaksinave Pfizer që pritet të vijnë në prill nga kontrata e drejtpërdrejtë, në qershor do të vijnë edhe 23 mijë vaksina të tjera Pfizer nga Covax.

Gjithashtu kryeministri Edi Rama tha një ditë më parë se vendi ynë ka siguruar edhe 50 mijë vaksina të tjera Astrazeneca jashtë çdo marrëveshjeje.

Kujtojmë se procesi i vaksinimit në vend vijon që prej 11 janarit në qendra të vaksinimit dhe shkolla. Qytetarët shqiptarë deri më tani po imunizohen me vaksinat Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V dhe Coronavac.

Top Channel