Mbi 500 kompani kanë kryer evazion fiskal por qeveria socialiste e ka të pamundur të marrë masa ndaj kompanive të kontraktuara për çështjet e inceneratorëve për sa kohë nuk ka një vendim të gjykatave.

Në këtë mënyrë ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, dje “lau duart” nga përgjegjësia e institucionit që ajo drejton dhe Administratës Tatimore për të hetuar kompanitë që kanë kryer evazion fiskal me inceneratorët.

Ministrja Ibrahimaj deklaroi se në këtë skemë janë më shumë kompani se ato që janë denoncuar, duke thënë për herë të parë shifrën e rreth 500 firmave fantazmë. Në Parlament, Ibrahimaj theksoi se kjo është një dukuri që ndodh në gjithë botën, e ju referua dhe Italisë, në përgjigje të deputetit të PDsë, Agron Shehaj që ngriti shqetësimin dhe tha “si nuk e kuptua Tatimet që evazioni kryhej me kompaninë e Klodian Zotos”.

“Ju doni të bëni politikë mbi procedura administrative të kryera me korrektësi. Doni të bëni hetuesin e prokurorin e gjykatësin, doni të bëni vetë drejtësi. Ne besojmë te shteti ligjet zbatimi i rregulloreve dhe drejtësia. Skema për të cilën unë u ndjeva e detyruar të dal të flas dje është një skemë e zbuluar nga administrata tatimore, përfshin mbi 500 subjekte e jo 2,3 4 që përmendni ju, është referuar në prokurori nga administrata tatimore është ndjekur me përpikëri që t’i shkohet deri në fund, por s’është roli i administratës të çojë hetimin deri në fund apo të nxjerrë vendime të gjykatës, është roli i institucioneve të drejtësisë. Mund të bëjmë politike e ngremë tymnaja dua t’u siguroj që institucionet shtetërore kanë bërë punën e tyre kanë zbuluar këto skema brenda kornizës së punës së tyre, skema që nuk janë dukuri shqiptare skema që njihen në gjithë institucione të tilla ne vende të tjera të botës. Edhe Italia ka qenë subjekt i evazionit fiskal i fshehjes së të ardhurave për hir të këtyre skemave”, deklaroi ministrja Ibrahimaj.

DENONCIMI

LSI-ja denoncoi 34 kompani fiktive që kanë kryer evazion fiskal përmes inceneratorëve, por ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, pretendoi se ishte administrata që e zbuloi e para këtë skemë të evazionit fiskal. Gjatë fjalës së saj në foltoren e Kuvendit, Ibrahimaj e konsideroi si një punë të mirë të administratës, duke falënderuar opozitën që “i japin rastin të nxjerrin në pah”.

“Unë mendoj se të gjitha institucionet duhet që t’ju bëjnë një falënderimin që na jepni rastin që të tregojmë punën e mirë të bërë nga administrate. Thoni që jemi të lidhur, bëjmë korrupsion, favorizojmë, ndërkohë që është kjo administratë pjesë e kësaj qeverie që nxori në dritë një skemë mashtrimi dhe ka filluar në vitin 2018 duke referuar 20 kompani fiktive që janë evidentuar nga administrata me qëllim për të ndaluar këtë dukur të tmerrshme të fshehjes së të ardhurave. Të dilni këtu të keqinformoni opinionin, siç bëni për çështje të tjera, siç hidhni baltë për investimet tona, misioni juaj të keqiformoni. Ka filluar me referimin në 2018, është ende në proces. Kemi çuar informacion për çdo kompani, kemi bërë vlerësime tatimore, bllokime llogarish. Dilni si hetues, tatimor, gjykatës dhe prokurorë, nxirrini në pah punën e administratës dhe unë ju falënderoj. Ne kryejmë punën tonë, vazhdojmë objektivin tonë, me qëllim që paratë e qytetarëve të mes keqpërdoren, Ju vazhdoni të gënjeni dhe hidhni tym, faktet janë fakte”, deklaroi znj. Ibrahimaj.