Mançester Siti u shpall edhe matematikisht kampion i Anglisë. “Dhuratën” ja bëri Leiçester, që shtangu Mançester Junajted në ndeshjen në shtëpinë e këtyre të fundit.

Leiçester fitoi me rezultatin 1-2, falë golave të shënuar nga Tomas dhe Sojuncu. Diferenca prej 10 pikësh nga Junajted kur kanë mbetur edhe tre javë për t’u luajtur e shpall matematikisht kampion skuadrën e Pep Guardiolës.

Ky është titulli i pestë në historinë e Sitit dhe i treti në katër vitet e fundit, ndërsa për herë të parë në histori do të diskutojë edhe një finale të Ligës së Kampionëve, përballë Çelsit.

Fill pas përfundimit të ndeshjes mes Junajted dhe Leiçester, profili zyrtar i Sitit nën Tëitter shkroi shkurtimisht: Champions!!!

Ndërkohë, festa e tifozëve ka nisur në rrugët e Mançester, ndonëse masat kufizuese anti-Covid nuk janë hequr plotësisht.