Pas një ore mbyllet protesta e fermerëve të zonës së Myzeqesë të cilët i kanë kërkuar qeverisë subvencione për prodhimet e tyre bujqësore.

Fillimisht grumbullim i fermerëve nisi qetësisht ndërsa forca të shumta policie dhe FNSH ishin në terren për të mos i lejuar protestuesit që të bllokonin aksin nacional.

Por pavarësisht kësaj, fermerët kanë arritur që të thyejnë kordonin e policisë dhe u ulën në mes të rrugës duke bllokuar qarkullimin në aksin nacional mes Lushnjes dhe Tiranës.

“Fax News” raporton se fermerët janë përleshur me uniformat blu të cilët shoqëruan disa prej tyre. Pas më shumë se 30 minutash, fermerët u larguan duke lejuar qarkullimin normal të aksit kombëtar, Tiranë – Lushnje.

“Keni afat deri pasnesër për të reaguar për të na dhënë subvencione, në të kundërt do të bllokojmë plotësisht rrugën nacionale Lushnje – Tiranë”, tha një fermer duke i vendosur ultimatum qeverisë.

Fermerët e Myzeqesë kanë dalë në protestë duke kundërshtuar paketën e re fiskale për vendosjen e 10% të TVSH-së për imputet bujqësore ndërkohe që çmimi i tyre është rritur nga kriza energjitike globale. Gjithashtu fermerët kërkojnë subvencione nga qeveria, ndërsa në terren kanë zbarkuar mbi 100 efektivë të policisë dhe FNSH-së.

Kreu i qeverisë ka postuar një fotografi në rrjetet sociale ku i përgjigjet protestës së fermerëve teksa shkruan: “Mbështetje për fermerët +42 % krahasuar me 2021 ose e thënë ndryshe 7.1 miliardë mbështetje për fermerët dhe investime në zhvillimin rural.