34 personat e arrestuar pas protestës së 8 janarit te Partia Demokratike kanë dalë sot para gjykatës për masën e sigurisë.
Nga kafazi i sigurisë, Stresi dhe të arrestuarit e tjerë u shfaqën të qeshur dhe përshëndetën me dy gishta medien dhe të pranishmit.
Seanca po ndiqet dhe nga pjesëtarë të Komisionit për Rithemelimin e PD.
Prokuroria ka kërkuar “arrest shtëpie” për pesë prej tyre dhe për 29 të tjerë masën “detyrim paraqitje”.
Në dosjen e prokurorisë thuhet se një ditë para protestës në komisariatin dixhital është bërë një denoncim ku thuhej se persona të armatosur ndodheshin brenda selisë blu.
Më pas në rrjete sociale qarkullonte një foto e disa personave të veshur me të zeza dhe kapuç, mes tyre edhe pastruesja, ku ka nisur verifikimi i tyre dhe roli që ata kanë në selinë blu.
Hetimet e prokurorisë janë shtrirë edhe tek analizimi i lëndëve të cilat u përdorën brenda selisë së Partisë Demokratike, në drejtim të protestuesve.
Mes të arrestuarve ka edhe persona nga Kosova të cilët janë arrestuar nga policia, ndërkohë që kanë mohuar të kenë lidhje me protestën.
Ata kanë thënë se në Tiranë ndodheshin për të përcjellë një të afërmin e tyre që nisej për Norvegji.
Sipas burimeve disa prej urdhër arresteve janë prerë në mëngjesin e datës 8 janar, ku policia i ka kërkuar prokurorisë verifikimin e disa personave për të cilët kishin dyshime se mund të jenë të armatosur.
Deri më tani bëhet me dije se nga personat e arrestuar nuk është gjetur ndonjë send i kundraligjshëm.
Akuzat për të cilat po heton prokuroria në lidhje me ngjarjen janë “prishja e qetësisë publike”, “shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive mbajtja pa leje”, “prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit,” dhe “prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Pjesë e hetimit për këtë çështje do të jetë edhe marrja në pyetje e Lulzim Bashës dhe Sali Berishës ndërkohë që prokuroria ka deklaruar se po heton dhunën nga brenda e jashtë selisë së PD.