Një tjetër person është ndaluar nga policia për shkak se akuzohet për dhunë të ushtruar në protestën e 8 dhjetorit të organizuar nga Sali Berisha kundër kreut të PD-së Lulzim Basha.

I ndaluari mësohet se është Lefter Seleni, 54-vjeç. Policia mes të tjerash sqaron se ky person ka thyer dyer e dritare të selisë së Partisë Demokratike, duke përdorur mjete të forta.

Ndalimi i tij u bë për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Kështu numri i të ndaluarve nga protesta e 8 janarit ka shkuar në 35.

Ndërkohë 34 të arrestuarit e tjerë në protestën e 8 janarit në Selinë Blu, priten të paraqiten këtë të mërkurë para gjykatës, për të mësuar masën e sigurisë. Bëhet fjalë për 34 të arrestuar. 23 prej tyre, njihen si mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha e 11 të tjerët, si mbështetës së kryedemokratit Lulzim Basha.

Njoftimi i Policisë: 

Tiranë – Vijojnë veprimet hetimore për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në akte dhune dhe shkatërrim prone gjatë protestës së datës 8 janar 2022, në selinë e Partisë Demokratike.

Identifikohet dhe ndalohet 54-vjeçari, i cili është përfshirë në shkatërrimin e  pronës gjatë protestës, duke përdorur mjete të forta.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në lidhje me shkatërrimin e pronës dhe aktet e dhunës, gjatë protestës së zhvilluar në datën 8 janar 2022, në selinë e Partisë Demokratike, bazuar në provat e grumbulluara, bënë ndalimin e shtetasit L. S., 54 vjeç.

Ndalimi i tij u bë për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Ky shtetas dyshohet se gjatë protestës ka thyer dyer e dritare të selisë së Partisë Demokratike, duke përdorur mjete të forta.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.