Janë bërë publike disa nga rastet e mashtrimit që çuan në burg ish- drejtoreshën e Ministrisë së Turizmit, Viola Sterjo.

Hetimi për të ka nisur pas kallëzimeve të disa qytetarëve nga Korça për faktin se Sterjo u kishte marrë shuma të konsiderueshme parash me qëllim influencimin te AZHBR për dhënien e fondeve në favor të tyre.

Në 12 dhjetor 2022 në prokurorinë e Korçës është bërë një kallëzim nga një qytetar, i cili kishte një pronë në Voskopojë dhe që donte të ndërtonte aty një hotel. Ai përmes një të njohuri kishte takuar Viola Sterjon, punonjëse e AKSH-it në atë kohë, e cila i kishte premtuar se do të ndërhynte tek AZHBR për të përfituar një grant.

Fillimisht denoncuesi i ka dhënë Sterjos 57 mijë euro dhe 1 milion lekë. Por ky nuk është mashtrimi i vetëm i Sterjos, një tjetër qytetar nga Pogradeci gjithashtu ka bërë denoncim se i ka dhënë asaj shuma të ndryshme, si 9 dhe 28 mijë euro, në mënyrë që ajo të ndërhynte te AZHBR për të përfituar një grant prej 1.2 milionë euro për një bujtinë.

Një denoncues i tretë pohon se i ka dhënë Sterjos 160 mijë euro pasi ajo i ka premtuar një grant prej 2.2 milionë euro.

Pas disa muajsh denoncuesi i cili nuk e kishte përfituar grantin i ka kërkuar Sterjos t’ia kthente shumën e lekëve të dhëna. Por ajo vijonte mashtrimin duke i thënë se granti do të rritej nga 2.2 milionë euro dhe do të shkonte në 4.5 milionë euro.