Brenda pak minutave ose për një orë do të mësohet nëse barrikadat në veri të Kosovës do të hiqen apo qëndrojnë. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kërkoi që rrugët të zhbllokohen, por ata që i kanë vendosur mjetet e tonazhit të rëndë në rrugë dëshirojnë ta dëgjojnë këtë nga vetë goja e tij, ballë për ballë. Për këtë po mbahet dhe një takim në Rashkë.

Ky zhvillim erdhi pas deklaratës së përbashkët të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, që theksuan se kanë marrë garanci nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, se nuk ka një listë me emrat e serbëve për të arrestuar për protestat dhe vendosjen e barrikadave në veri. Qëndrimi i Uashingtonit dhe Brukselit është lexuar nga Beogradi si garanci për sigurinë në Veri të Kosovës.

“Vuçiç zhvilloi një bisedë për më shumë se dy orë me serbët e veriut dhe ua prezantoi përmbajtjen e këtyre dokumenteve dhe deklaratave. U tregoi gjithçka që do të përfitojnë dhe kërkoi që populli ynë të tërhiqet nga barrikadat”, konfirmoi shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç.

Ndërsa kreu i Listës Serbe, Goran Rakiç, pas konsultimeve me Vuçiçin, sqaroi se janë marrë garanci nga KFOR se forcat e sigurisë së Kosovës nuk do të shkojnë në veri pa pëlqimin e tyre. Në kërkesën e Beogradit për heqjen e barrikadave ka ndikuar dhe fakti i lirimit me kusht nga autoritetet e Kosovës për ish-policin Dejan Pantiç dhe serbët e tjerë të arrestuar, që akuzohen për terrorizëm për shkak të sulmeve me armë që zhvilluan.

Kryeministri Albin Kurti reagoi me habi të madhe ndaj vendimit, duke i nisur nga fakti se ata akuzohen për terrorizëm. Pikërisht për ndalimin e tyre u bllokuan dhe rrugët në veri të Kosovës 19 ditë më parë. Barrikadat e fundit u vendosën gjatë ditës së sotme duke bllokuar dhe pikën kufitare të Merdarës. Më herët, edhe Jarinja e Bërnjaku u hoqën nga funksioni.