Japonia nuk regjistroi asnjë vdekje ditore nga COVID-19 për herë të parë në më shumë se një vit të dielën, sipas mediave lokale.

Përpara të dielës, nuk kishte pasur asnjë ditë pa vdekje nga COVID-19 që nga 2 gushti 2020, sipas një raporti nga transmetuesi kombëtar NHK, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv.

Rastet dhe vdekjet e COVID-19 kanë shënuar rënie në gjithë Japoninë pasi vaksinimet janë rritur për të mbuluar më shumë se 70 përqind të popullsisë.

Japonia ka regjistruar mbi 18 mijë viktima nga COVID-19 që nga fillimi i pandemisë.

Për të përballuar një rikthim të mundshëm këtë dimër, qeveria planifikon të fillojë vaksinat përforcuese muajin e ardhshëm dhe po punon për të siguruar trajtime të bazuara në pilula për rastet më të lehta për të reduktuar shtrimet në spital.