Rreth 50 mijë litra kontrabandë janë sekuestruar në Portin e Durrësit.

Burime për abcnews.al bëjnë me dije se aksioni është zhvilluar nga struktura doganore  Antikontrabanda Detare në bashkëpunim me policinë kufitare në Durrës.

Peshkarexha “LEON” është bllokuar mbrëmjen e djeshme në Port.

Gjatë kontrollit në depot  e brendshme të karburantit të saj u gjet dhe u sekuestrua sasia prej rreth 50.000 litrash naftë kontrabandë.

Policia ka arrestuar në flagrancë Shpëtim Canin, 43 vjeç, banues në Durrës, me detyrë përkatësisht kapiten, si dhe Roland Canin, 41 vjeç, me detyrë marinar i anijes peshkatore “LEON”.

Mësohet se peshkarexha vinte nga vendet e Lindjes, ndërsa dyshohet se nafta ishte  planifikuar për t’u hedhur në tregun e brendshëm.

Kujtojmë se më 23 korrik, policia sekuestroi 80 mijë litra karburant të futur kontrabandë përmes një peshkarexhe në port. Anti-kontrabanda detare po vijon kontrollet intensive, duke u fokusuar tek mjetet lundruese./Abcnews.al/