Policia njofton se në 24 orët e fundit janë ndëshkuar me gjobë nga Policia Rrugore e Tiranës 1,761 drejtues mjetesh, për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Po ashtu, 9 shoferë janë arrestuar gjatë 24 orëve të fundit për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi, si dhe janë pezulluar 40 patenta.

Sipas “Rrugorëve” të kryeqytetit, këta drejtues mjetesh janë ndëshkuar për shkelje që janë rrezik potencial për përfshirje në aksidente rrugore, si parakalime e manovra të rrezikshme në rrugë, shpejtësi tej normave të lejuara, përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, mosvendosje të rripit të sigurimit apo kaskës mbrojtëse, drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit apo pa leje drejtimi.

Nga 40 leje drejtimi që janë pezulluar, 30 kanë qenë për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara, që varionte nga 70 km/h në qendrat e banuara deri në 161 km/h në rrugën interurbane Tiranë-Durrës, dhe 10 leje drejtimi për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit.

Policia Rrugore, nisur nga fakti që gjatë fundjavës fluksi në akset rrugore drejt zonave bregdetare është i lartë, apelon për drejtuesit e mjeteve që mos të qarkullojnë me shpejtësi që cenojnë sigurinë e jetës në rrugë, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të mos kryejnë parakalime të gabuara, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit dhe të qëndrojnë në radhë kur ka lëvizje të ngadaltë për shkak të fluksit, si dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri.