Një person i armatosur me thikë është qëlluar nga policia e transportit në Paris. Ai bërtiste “Allahu Akbar” dhe “Franca sundohet nga Shteti Islamik” në një stacion të trenave.
Raportohet se burri është plagosur rëndë, pasi e tundte thikën në stacionin “Saint-Lazare”, që është njëri nga më të ngarkuarit në kryeqytetin francez, shkruan Daily Mail.
Incidenti ndodhi pasi ai u ndalua për mosvendosje të maskës dhe më pas refuzoi që t’i zbatonte urdhrat e zyrtarëve të hënën në mbrëmje.
Ai më pas e nxori thikën dhe mësyu drejt katër policëve duke bërtitur “Allahu Akbar. Franca sundohet nga Shteti Islamik” para se të qëllohej dy herë në gjoks.
Sipas gazetës “Le Parisien”, burri ra mbi binarë dhe u dërgua në spital, ku ndodhet në gjendje kritike.
Sipas dokumenteve të identitetit që i janë gjetur në trup, i dyshuari është lindur në vitin 1974 dhe ka qenë i njohur për policinë shkaku i kërcënimeve e dhunës së mëhershme, por nuk ka qenë i njohur për shërbimet e inteligjencës.