Një gazetë qeveritare iraniane ka publikuar një artikull sipas të cilit vendi ka në gjendje mjete ajrore dronë, të cilat mund t’i përdorë për të goditur bazën e grupit anti qeveritar MEK  që strehohet në Shqipëri.

Sipas gazetës shtetërore të Teheranit, ky vend ka në dispozicion dronë të armatosur “UAV” të cilët nuk kapen nga radarët dhe me mundësi goditje të bazës së opozitës iraniane në Shqipëri.

“Dronët iranianë dhe sistemet e raketave nuk janë të limituara në aspektin gjeografik për sa i përket vendeve fqinje. Irani ka në dispozicion kapacitete, posaçërisht dronë të cilët me lehtësi mund të sulmojnë bazën e MEK në Tiranë. Irani ka dronë luftarak të cilët mund të udhëtojnë përtej distancës Iran-Shqipëri e shënjestruar objektivat e sulmit”, shkruhet në gazetën iraniane.

Gazeta zyrtare e qeverisë citoi gjithashtu një deklaratë të lëshuar nga Ministria e Inteligjencës e Iranit, në të cilën ajo ka theksuar rolin e MKO-së në trazirat e fundit në disa qytete iraniane. Ndër të tjera gazeta thekson se Irani rezervon të drejtën, për shkak të akteve terroriste të MKO, të qëllojë bazën e tyre në Shqipëri.

Shqipëria është vendi kryesor në botë, i cili strehon anëtarët e organizatës Muxhahedinët Popullorë të Iranit (MEK), e cila konsiderohej, deri pak vitesh, organizatë terroriste nga shumica e vendeve perëndimore.

Shqipëria strehon rreth 70 për qind të gjithë muxhahedinëve të MEK-ut të strehuar në vende të treta me ndërmjetësimin e SHBA-ve.

Çfarë janë muhaxhedinët iranianë

Organizata e Muxhahedinëve Popullore të Iranit është një lëvizje që vepron në emigrim, kryesisht në Irak, për rrëzimin e regjimit aktual në Iran. Ajo u krijua në fillim të viteve 1960-të si lëvizje proteste kundër regjimit të Shahut të Iranit.

MEK ishte ndër nxitësit dhe mbështetësit kryesorë të Revolucionit Iranian të vitit 1979, i cili rrëzoi regjimin e Shahut. Pas revolucionit, në Iran u vendos një sistem teokratik islamik nën udhëheqjen e Ajatullah Khoeminit, që hasi kundërshtinë e ashpër të MEK-ut që ishte kundër autokracisë islamike. Si pasojë, regjimi Iranian filloi persekutimin e anëtarëve të organizatës që detyroi drejtuesit e saj dhe mijëra anëtarë të emigronin.

Shumica e tyre u mirëpritën në Irak nga Sadam Huseini, i cili i ofroi organizatës një territor të pazhvilluar pranë kufirit me Iranin. MEK-u e shndërroi territorin në një qendër me infrastukturë moderne dhe ekonomi të zhvilluar që u njoh si Qyteti Ashraf.

Në Ashraf, MEK iu përkushtua përgatitjes ushtarake të anëtarëve të saj duke u shndërruar në grupin më të madh dhe më të fuqishëm militant kundër regjimit iranian, i cili zhvilloi, për më shumë se dy dekada, një veprimtari intensive terroriste për rrëzimin e qeverisë iraniane. MEK, njëkohësisht, bashkëpunoi ngushtësisht me regjimin e Sadam Huseinit, si gjatë luftës Irak-Iran edhe pas saj.

Për shkak të aktivitetit të saj, MEK ka qenë njohur zyrtarisht si organizatë terroriste nga shumë qeveri perëndimore, përfshi atë të SHBA-ve.

Gjatë operacionit ushtarak për rrëzimin e Sadam Huseinit, forcat e koalicionit bombarduan edhe Qytetin Ashraf të cilin e konsideronin bazë terroriste.

Mbas pushtimit të Irakut, forcat amerikane dhe muxhahedinët negociuan një pakt paqeje, në bazë të të cilit muxhahedinët dorëzuan armët dhe premtuan t’i ktheheshin jetesës paqësore civile. Si rezultat, rreth 3 mijë muxhahedinëve të Ashrafit iu dha statusi i civilëve të mbrojtur nën Konventën e Gjenevës dhe ushtria amerikane mori përsipër sigurinë e Qytetit të Ashrafit.

Në vitin 2009, ushtria amerikane ia kaloi kontrollin e Ashrafit qeverisë irakiane, e cila premtoi trajtimin njerëzor të tyre. Pavarësisht premtimit, forcat irakiane ndërhynë brutalisht në Ashraf me qëllim vendosjen e kontrollit të tyre policor në zonë, veprime që hasën rezistencë nga muxhahedinët. Konfliktet çuan në dhunë të armatosur që shkaktoi dhjetra viktima mes muxhahedinëve.

Qeveria irakiane filloi persekutimin sistematik të tyre dhe dhunë sistematike për t’i detyruar muxhahedinët të largoheshin nga Iraku.
Këto veprime ngallën reagimin e organizatave ndërkombëtare humanitare, nën presionin e të cilave qeveria amerikane i mori në mbrojtje muxhahedinët duke i strehuar në Kampin Liberty të ushtrisë amerikanë në Baghdad.

Bashkë me tërheqjen e amerikanëve nga Iraku lindi nevoja e gjetjes së një zgjidhje të problemit të muxhahedinëve. Për këtë arsye, në vitin 2012, qeveria amerikane e hoqi organizatën nga lista e organizatave terroriste, dhe filloi të kërkonte mundësi për sistemimin e tyre në vende të ndryshme të botës.

.abcnews.al.