Autoritetet greke po vazhdojnë hetimet në lidhje ekzekutimin e 6 shtetasve turq në Lutsa, Greqi.

Janë hetuar telefonat celularë të viktimave, provat e gjetura në shtëpinë që jetonin me qira dhe prova të mbledhura pranë vendit ku ndodhi masakra.

Viktimat thuhet se kishin mesazhe të shkruara në turqisht në telefonat e tyre celularë, ndërkohë që policia greke ka analizuar përmbajtjen e tyre për të përcaktuar se me kë po flisnin dhe nëse dikush i kishte informuar se ata ishin shënjestruar, nga një grup kriminal rival.

Mirëpo, nga gjetjet në veturë, valixhet dhe sendet e tjera personale të gjetura, u konstatua se të gjashtë po përgatiteshin të largoheshin menjëherë nga vendi.

Brenda shtëpisë ku jetonin në Artemisa nuk u gjetën as armë, as drogë dhe asnjë element tjetër, përveç disa sendeve personale që do të vlerësohen përmes ADN-së.

Gazeta turke Milliyet ka publikuar një foto, ku sipas saj ndodhen gjashtë personat e ekzekutuar. Sipas gazetës, të ekzekutuarit janë Doruk Ersu Büyüktunç, Abdurrahman Tekrü, Ömer Kanza, Ozan Kaan Tozlu, Barış Çağan dhe Burak Tahmaz.

Siç u bë e ditur dje, gjashtë personat që u ekzekutuan dyshohet se i përkasin grupit kriminal të kryemafiozit Baris Boyoun dhe janë në konflikt me një rrjet kriminal rival.

Sipas informacioneve të protothema.gr, autuoritetet greke e konsiderojnë masakrën në Lutsa si rezultat i konfliktit mes dy grupeve kriminale me qendër në Turqi dhe aktive kryesisht në tregtinë e drogës.

Në veçanti, policia po shqyrton mundësinë që ekzekutimi në Lucha të lidhet me një vrasje të ndodhur në Francë, ku mbetën të vdekur dy turq të cilët ishin anëtarë të njërit prej dy grupeve kriminale. Pas vrasjes, sipas informacioneve, autorët dyshohet se janë larguar nga Franca dhe kanë ardhur në Greqi për të gjetur strehim.

Ndaj policia po shqyrton mundësinë që autorët e kësaj vrasjeje të ndodhur në atë kohë në Francë të jenë personat që mbetën të vrarë të hënën, si shenjë hakmarrje.

Në të njëjtën kohë, autoritetet greke janë thuajse të sigurt se me këtë rast është i lidhur edhe turku i arrestuar në aeroportin Eleftherios Venizelos dhe kjo pasi dyshohet se ka rezervuar një biletë një orë pas masakrës.

Top Channel