Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu prezantoi sot projektrezolutën e iniciuar së bashku me deputetë të tjerë të opozitës për situatën në Ballkan dhe Kosovën.
Në një konferencë për mediet nga Kryesia e Kuvendit, Mediu tha se, kjo projektrezolutë që kërkon marrjen e hapave konkretë nga Shqipëria dhe adresimin e problematikës në NATO do të konsultohet me të gjithë deputetët dhe forcat e tjera politike për të dalë me një qëndrim.
Në projektrezolutë thuhet se, duke ndjekur me vëmendje të veçantë rritjen e tensioneve ndëretnike në rajonin tonë, tensione me rrezikshmëri të lartë për ringjalljen e konflikteve të përgjakshme, të cilat janë në thelb të lidhura me politikën e Serbisë ndaj fqinjëve të vet, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë dhe Malin e Zi;
Duke u bashkuar me shqetësimin e shprehur nga Parlamenti Europian, Kongresi Amerikan, Parlamenti Britanik, nga disa qeveri të vendeve europiane dhe shumë analistë seriozë në Europë e në SHBA, shqetësim i mbështetur sidomos në përpjekjet e fundit të Republika Srbska, për t’u shkëputur nga BiH, gjë që po çon, sipas vlerësimit të përfaqësuesit të lartë të BE-së në BiH, Christian Schmidt, në shembjen e marrëveshjes së paqes, nënshkruar në Dejton në vitin 1995, me ndërmjetësimin e SHBA;
Duke i parë të ndërlidhura narrativat destabilizuese të Presidentit Vucic dhe zyrtarëve më të lartë të shtetit serb, me ndërhyrjet e hapura për të penguar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, me tentativat e Republika Srbska për të krijuar ushtrinë e saj, jashtë kontrollit kushtetues të Sarajevës, deklarimet për shkëputje nga BiH, situatën e paqëndrueshme politike në Maqedoninë e Veriut, si dhe me dislokimin e kohëve të fundit të ushtrisë serbe në kufi me Republikën e Kosovës, gjë që e shtyu Kryeministrin Kurti të paralajmëronte se rajoni po shkonte drejt një konflikti të armatosur;
Duke parë gjithashtu se kjo tablo shqetësuese është e ndërlidhur ngushtë me intensifikimin e shumëfishtë të pranisë Ruse në rajonin tonë, në zbatim të deklaratës së Presidentit Putin, se “Ballkani është një back yard i Rusisë”, gjë që në realitet po kryhet përmes mbështetjes ndaj Serisë, për ta shndërruar atë në fuqi dominuese në Ballkanin Perëndimor, si rrugë për ta rritur presionin mbi Uashingtonin dhe Brukselin;
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë vendosi:
- Të ngarkojë qeverinë e Republikës së Shqipërisë në këshillim me partnerët tanë strategjikë dhe ta adresojë urgjentisht këtë problematikë në NATO.
- Nëpërmjet delegacioneve të veta në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, në Asamblenë Parlamentaretë Sigurimit të OKB, të përcaktojë qartësisht objektivat për rajonin dhe Kosovën.
- Të shtohet mbështetja për Integrimin e Kosovës në OKB dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare, duke shpjeguar me theks të ri, se lënia e këtij shteti të ri jashtë, e ekspozon atë dhe rajonin me lehtësi përballë kërcënimeve ruso-serbe.
- Të organizojë një forum ndërparlamentar Shqipëri – Mali i Zi – Kosovë – Maqedoni e Veriut, me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike parlamentare.