“Këpuca e Artë” nuk ishte e mjaftueshme për superyllin e futbollit të femrave, Megi Doçi. Vajza nga Burreli mahinti gjithë futbolldashësit shqiptarë me paraqitjet e saj dhe sot u nderua nga Federata Shqiptare e Futbollit me “Topin e Artë 2022”.

Përveçse arriti të kualifikonte “shkodranet” në Uefa Womens Champions League, burrelsja Megi Doçi nuk u ndal me kaq, me lideren e Vllaznisë, që shënoi dhe golin e vetëm për “shkodranet” , ku me një super goditje dënimi ndëshkoi spanjollet e Real Madrid.

Doçi mori “Topin e Artë” për femra nga kryeministri i vendit Edi Rama, nderim ky që emocioni jo pak “fantazisten” e Vllaznisë.

“Ndihem e emocionuar, pasi është e veçantë që shpërblehet puna e vazhdueshme ndër vite. Unë kam bërë gjithçka që të jap gjithçka me Vllazninë dhe ekipin kombëtar. Një falënderim i veçantë për trajnerët dhe kapitenët që më votuan për këtë çmim.

Sigurisht dhe një falënderim për shoqet e ekipit që shkëlqyen në Champions dhe dhanë gjithçka. Falënderimet janë të shumta dhe nuk dua të lë pa përmendur dhe presidentin Armando Duka që i ka qëndruar afër këtij sporti“,- u shpreh futbollistja pas marrjes së trofeut. /i.m /abcnews.al