Marrë nga Euronews.com, përgatiti në shqip Abcnews.al

Koalicioni i krahut të djathtë i udhëhequr nga partia e ekstremit të djathtë “Vëllezërit e Italisë” duket se do të fitojë zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme të Italisë, ndërsa udhëheqësja Giorgia Meloni pritet të formojë qeverinë e re dhe të bëhet kryeministrja e parë femër e vendit.

Por si arriti në këtë rezultat vendi, i dalë nga dy vjet kufizime të pandemisë COVID-19 dhe nga një “luftë” me inflacionin në rritje dhe një krizë të kostos së jetesës të përkeqësuar nga lufta në Ukrainë? Dhe çfarë na tregon kjo për të ardhmen e Italisë?

Këto dhe të tjera pyetje, Euronews.com ia ka bërë tre ekspertëve të politikës italiane.

Si u ngjitën në krye të politikës italiane “Vëllezërit e Italisë dhe  Giorgia Meloni?

Sipas sondazheve të rezultateve të para dhe parashikimeve të hershme, koalicioni i krahut të djathtë i udhëhequr nga partia e Melonit,  i shoqëruar nga “Liga” e Matteo Salvinit dhe “Forza Italia” e Silvio Berlusconit fiton 43.79 për qind të votave.

Qendra e majtë mbeti pas me 26.13 për qind të votave, e ndjekur nga “Lëvizja Pesë Yjet” me 15.42 për qind.

Sipas Davide Vampa, Lektor i Lartë në Politikë dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin Aston në Birmingham, Britania e Madhe, megjithëse koalicioni i krahut të djathtë ka fituar me një shumicë dërrmuese në krahasim me votat e mbledhura nga partitë e tjera, shifrat e marra janë modeste në përgjithësi.

“Blloku i djathtë mori pak a shumë të njëjtat vota si në 2018-ën”, tha Vampa. “Pra është e vërtetë që ata fituan dhe ishte një fitore dërrmuese, por kjo ishte kryesisht për shkak të ndarjeve të së majtës, qendrës së majtë, PD-së dhe Lëvizjes Pesë Yjet”, tha ai. 

Por ngritja e “Vëllezërve të Italisë”  është një përjashtim, shtoi ai.

“Është gjithashtu e vërtetë që ka pasur një rritje mbresëlënëse të kësaj partie dhe kjo ndoshta për faktin se “Vëllezërit e Italisë” ishte e vetmja pjesë në opozitë, ajo ka qenë në opozitë për pesë vitet e fundit ndërsa të gjitha partitë e tjera kishin qenë në qeveri të paktën një herë gjatë pesë viteve të fundit”, tha Vampa.

“Kështu që unë mendoj se Brothers of Italy u shpërblye nga roli i saj në opozitë.”

Pse e majta e Italisë nuk arriti të paraqiste një front të bashkuar?

Sipas Vampa, gabimi më i madh i së majtës ishte dështimi për të paraqitur një front të bashkuar në zgjedhjet e 25 shtatorit.

“Ky ishte, mendoj, një gabim i madh i bërë nga Enrico Letta, kreu i Partisë Demokratike”, tha Vampa. “Ai u përpoq t’i përmbahej agjendës së Draghit dhe, për këtë arsye, ai refuzoi të formonte një koalicion me Lëvizjen Pesë Yjet, e cila përcaktoi rënien e qeverisë së Draghit.”

Zgjedhjet e parakohshme u shkaktuan nga tërheqja e mbështetjes nga Lëvizja Pesë Yjet për qeverinë e Draghit, gjë që bëri që kryeministri në largim të ofrojë dorëheqjen e tij (dy herë).

Koalicioni i krahut të djathtë, nga ana tjetër, ka ribashkuar partitë që kishin qenë pjesë e koalicionit Draghi si dhe Vëllezërit e Italisë, të cilët nuk e kishin mbështetur kurrë lidershipin e teknokratit.

“PD-ja donte të tregonte qëndrueshmëri, ndaj nuk pranoi të krijonte një koalicion konkurrues”, tha Vampa. “Ka pasur konkurrencë edhe nga qendra, nga lista e krijuar nga Calenda dhe Renzi, ish-kreu i PD-së gjithashtu. Pra PD vuajti nga konkurrenca në të majtë […] dhe nga qendra.”

“Kishte një copëzim të madh, PD nuk arriti të vepronte si unifikuese e së majtës apo e qendrës së majtë. Dhe ata po paguajnë çmimin e këtij vendimi”, shtoi Vampa. “Nëse do të kishin kandiduar së bashku, sot ndoshta rezultatet do të ishin shumë të ndryshme. Po t’i shtosh votën e Lëvizjes Pesë Yjet në atë të PD-së dhe koalicionit të qendrës së majtë, mendoj se ndoshta do të ishin përpara.

“Sigurisht, nuk mund të shtoni vetëm vota ashtu, dinamika do të kishte qenë ndryshe, por padyshim koalicioni i qendrës së majtë do të ishte më konkurrues në zgjedhje”, përfundoi ai.

Rënia e Ligës dhe tentativa për rikthimin e Berlusconit

“Liga është një nga humbësit e mëdhenj të zgjedhjeve,” tha Vampa, duke theksuar rënien dramatike të popullaritetit të saj.

“Unë mendoj se Salvini pagoi çmimin për zgjedhjet e ndryshme që bëri gjatë tre viteve të fundit. Së pari, kur u largua nga qeveria me Giuseppe Conte në 2019. Dhe ky ishte, në fund, një gabim i madh sepse nuk shkaktoi zgjedhjet e parakohshme që ai shpresonte se do të rezultojnë nga kriza. Më pas ai vendosi të bashkohet me qeverinë e drejtuar nga Draghi. Dhe sigurisht, kjo e kufizoi partinë brenda koalicionit, e cila drejtohej nga një figurë teknokrate dhe kjo nuk është shumë e mirë për një parti që ka një lloj profili populist.”

Në fund të fundit, Meloni përfitoi nga të gjitha gabimet që bëri Salvini, tha Vampa, me votuesit që kaluan nga Liga te Vëllezërit e Italisë.

Është një histori tjetër për Berluskonin, ish-kryeministrin që “është gjithmonë një konstante në politikën italiane”, tha Vampa.