Kryetari i Bordit të Fondacionit Shqiptaro Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se po ndihmojnë me financime prej shumë vitesh në Shqipëri arsimin, transformimin urban në disa qytete dhe ekoturizmin. Zoti Grannoff flet edhe për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit për 10 vitet e ardhshme mbi bazë të një marrëveshje të Fondacionit me Ministrinë e Kulturës. Sipas tij, Butrinti është në pronësi dhe kontrollohet nga qeveria dhe populli i Shqipërisë dhe Fondacioni do të kontribuojë duke dhuruar dhe 5 milionë dollarë për mbrojtjen e këtij parku. Në përgjigje të interesimit të Zërit të Amerikës për zhvillimet e vrullshme ndërtimore në zonat që u hoqën nga pjesa e mbrojtur e Parkut të Butrintit, Zoti Granoff thotë se është përgjegjësi e qeverisë shqiptare mbrojtja e territorit. Me zotin Granof, bisedoi kolegu ynë, Ilirian Agolli.

Zëri i Amerikës: Zoti Granoff! Ju sapo keni vizituar në Shqipëri disa nga projektet e AADF. Në mënyrë të përmbledhur, ku janë të fokusuara projektet e financuara nga Fondi?

Michael Granoff: Si fillim jam shumë i lumtur që po kaloj kohë me ju dhe është një nga gjërat më të rëndsishme të vizitës time në Shqipëri, që të kem mundësinë të flas me njerëzit specifikisht dhe nëpërmjet kësaj bisede me ju më jepet kjo mundësi. Fondacioni ka një numër të madh të fushave të ekspertizës dhe të fokusimit. Një nga ato është arsimi, një tjetër është rindërtimi urban dhe transformimi i qyteteve në të gjithë vendin. Ajo çfarë përpiqemi është të ndërtojmë jo një projekt të vetëm, por një portfolio programesh. Pra secila nga këto zona ka një numër programesh, të cilat kur të bashkohen të japin përfitime të shumëfishta.

Zëri i Amerikës: Programet e arsimit janë midis angazhimeve kryesore të AADF në Shqipëri prej shumë vitesh, në të gjithë nivelet, nga fëmijët deri tek studentët. Cilat janë disa nga investimet tuaja të fundit në edukimin digjital dhe në trainimin e të rinjve?

Michael Granoff: Një nga punët më të rëndësishme që ne bëjmë për të përmirësuar jetën e njerëzve këtu, ajo është arsimimi. Fëmijët e Shqipërisë do të krijojnë Shqipërinë e të ardhmes dhe nëse duam që ato të krijojnë shtetin që njerëzit duan dhe të ndërveprojnë me botën, arsimimi është mjeti më i rëndësishëm për ta bërë këtë. Ne kemi krijuar një seri programesh duke punuar me fëmijë që nga klasa e parë dhe e dytë deri në universitet. Së dyti, një rol të rëndësishëm zë teknologjia. Ne jemi përpjekur të krijojmë programe digjitale edukimi. Një nga programet që kemi ndërmarrë në këtë udhëtim ditëve të fundit është se do të vendosim laboratore kompjuterike në 100 shkolla të ndryshme në të gjithë vendin për nxënës të arsimit fillor. Këtë mëngjes unë vizitova projektin tonë në TUMO, ku ka shumë lloje të edukimit digjital nga robotika te video lojërat për fëmijët në gjimnaz, duke i mundësuar këtë lloj mjetesh për të mësuar. Për më të rriturit ne kemi krijuar një akademi kodimi, ku mund të mësojnë si të kodojnë softuuare për t’u përgatitur për punët e sotme dhe të të ardhmes, duke thyer kufijtë.

Zëri i Amerikës: Zoti Granoff! AADF ka mbështetur ngritjen e disa qindra bizneseve të vogla në 8 qytete të mëdha të Shqipërisë, ku ka rindërtuar zona të njohura tregtare. Shqipëria ka nevojë për investime të huaja dhe po përpiqet të thithë investime të huaja, por ka arritur pak. Ju keni vite që investoni në Shqipëri, ndaj bazuar në përvojën tuaj, çfarë ka nevojë të ndryshojë Shqipëria për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të tërhequr investime të huaja?

Michael Granoff: Një nga pikat kryesore të projekteve tona është transformimi i zonave urbane. Këtë e kemi bërë në 9 qytete në të gjithë vendin. Kemi dhuruar mbi 30 milion dollarë për këtë qëllim. Më i rëndësishëm se sa rikonstruksioni i ndërtesave, është bashkëpunimi që fondacioni ka krijuar me qeverisjen vendore dhe bizneset vendore. Nëse duam të krijojmë një klimë pozitive biznesi, që njerëzit të investojnë në të, duhen krijuar bashkëpunime të tilla. Nga këto projekte zbuluam se bizneset ishin të gatshme të konkuronin me njëra tjetrën. Bizneset u rritën, u rrit klientela, njerëzit ishin më të lumtur, erdhën dhe kaluan kohën në këto vende, pra rezultoi se duhej një katalizator për ta bërë këtë. Sa më shumë njerëz të provojnë ta bëjnë këtë gjë në biznesin e tyre do të jetë tërheqëse që jo vetëm të zhvillojnë bizneset e tyre, por dhe të tërheqin investime të huaja. Mjedisi i biznesit është një faktor i rëndësishëm, të cilit i bashkangjiten edhe sfidat e investimit në Shqipëri. Një nga këto është edhe korrupsioni. Ne i dimë problemet, i dëgjojmë çdo ditë dhe nuk janë specifike vetëm për Shqipërinë. Këto janë probleme për investimet në shumë vende, por edhe shtetet konkurojnë me njëri-tjetrin për kapitale dhe sfida e qeverisë është që të jetë në gjendje të konkurojë me këto shtete të tjera. Klima e biznesit që kemi krijuar ne është që njerëzit mund ta shohin, ta prekin dhe jo vetëm ta lexojnë në letra atë. Kur unë vizitova vendet, ku janë bërë përparime në biznes, ecja në rrugë dhe mund të shikoja ndryshimet e bëra në këto vende, jo vetëm në aspektin fizik, por dhe në sjelljet e njerëzve. Ata janë të lumtur të jetojnë aty, kështu që ne kemi bërë një hap të rëndësishëm në këtë aspekt dhe ky progres duhet të shumëfishohet për të tërhequr më shumë kapitale për biznese të reja. Në këtë mënyrë ekonomia mund të rritet në një formë dinamike