Kryeministri Edi Rama gjatë fjalimit të gjatë përballë socialistëve në Kongresin e jashtëzakonshëm të mbajtur në ‘Air Albania’, paralajmëroi të gjithë bashkëpunëtorët në qeverisje dhe në të gjitha hallkat e shtetit se partia nuk mban përgjegjësi për askënd që shkel në dërrasën e kalbur të drejtësisë.

Rama u shpreh se reforma në drejtësi është vijë e kuqe mes PS dhe kujtdo brenda nesh që hyn në gjynah me popullin dhe shtetin shqiptar.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Mandati i tretë përputhet me kohë, me një kohë të re të drejtësisë në Shqipëri. PS nuk do të mbëhet mbulesë për asnjë ministër, për asnjë deputet drejtor, nëse drejtësia e re do të kërkojë drejtësi prej tij apo prej saj. E kam thënë edhe më parë kur na është dashur të ndeshemi me këtë sfidë. Dhe po e përsëris edhe sot, Partia nuk mban përgjegjësi për askënd që shkel në dërrasën e kalbur të drejtësisë, por mban përgjegjësi se si reagon për shkeljet. Reagimi tonë do të jetë edhe më i qartë edhe më i prerë, ik sqarohu para drejtësisë me avokatin tënd.

Reforma në drejtësi dhe lufta kundër drejtësisë së vjetër është një vijë e kuqe mes PS dhe kujtdo brenda nesh që hyn në gjynah me popullin dhe shtetin shqiptar duke abuzuar me detyrën për përfitime të paligjshme.

Portat nga qielli, deti, infrastukturat e mëdha, dixhitalizimin, ne do ta realizojmë gjatë kësaj dekade të re, por pa e futur në këtë varg të madhe reformash dhe punësh atë pjesë të shqiptarëve që deri më sot është ndjerë e përjashtuar për shkak të mbylljes apo përplasjes së derës në fytyrë, Shqipëria mund ta rrisë ekonominë, por s’mund të bëhet një shtet që garanton liri, punë dhe si vend anëtar i BE-së.