Një foshnje ka ndërruar jetë pas zjarrit të rënë në një shtëpi private në Tiranë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatë natës, në zonën pranë Maternitetit të Ri. Sipas informacioneve paraprake, në momentin e zjarrit në banesë ka qenë gjyshja dhe foshnja 6-muajshe.
Forcat e policisë dhe zjarrfikëses shkuan në vendin e ngjarjes duke bërë të mundur nxjerrjen e foshnjes, por fatkeqësisht raportohet se ndërroi jetë gjatë transportit në spital.
Dy zjarrfikëse kanë mundur të vënë nën kontroll flakët që ranë në banesë gjatë natës, ndërsa dy prej punonjësve të zjarrfikëses u asfiksuan, por janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Shkaku i rënies së zjarrit dyshohet të jetë rrjedhja e një bombole gazi.
Informacion paraprak nga Policia:
Sot, në orët e para të mëngjesit, në rrugën “Gani Domi”, ka rënë zjarr dhe është djegur plotësisht banesa e shtetases J. L.
Si pasojë ka ndërruar jetë një foshnje 6 muajshe, ndërsa shtetasja J. L., ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor po punon për të përcaktuar shkaqet e rënies së zjarrit dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.