Këtë të hënë nis viti i ri shkollor për sistemin parauniversitar. Edhe këtë vit në respektimin e masave anti Covid rreth 480 mijë nxënës pritet të nisin vitin e ri shkollor, mes të cilëve mbi 30 mijë do të ulen për herë të parë në banka.

Mësimi do të zhvillohet  me një deri në katër turne ndërsa orët do të zgjasin nga 25 deri në 45 minuta në varësi të kapacitet të shkollës.

Në ndryshim nga viti i kaluar,  mësuesit do të rikthehen në klasa të vaksinuar, ndërsa për ata që nuk e bëjnë, do të duhet të paraqesin test COVID çdo javë për të treguar se nuk janë të infektuar nga virusi.

Ndërkohë ministrja e Arsimit Evis Kushi përmes një video të shpërndarë në rrjetet sociale ka uruar nxënësit për nisjen e vitit  të ri shkollor dhe i ka këshilluar të zbatojnë masat anti Covid.

Më i vështirë ky vit me kushtet e pandemisë duket se do të jetë në shkollat e Tiranës ku pritet të nisin mësimin rreth 75 mijë nxënës. /abcnews.al