Presidenti Ilir Meta ka dekretuar me shpallje dy ligje. Bëhet fjalë për ligjin “Për ushqimin” dhe Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”.
Sipas Metës ndryshimet ligjore synojnë përmirësimin e legjislacionit për lehtësimin e klimës së bizneseve, të cilat kryejnë veprimtari ekonomike në import-eksport në fushat e ushqimit dhe ushqimit për kafshë.
Sipas kreut të shtetit është me rëndësi që institucionet shtetërore të angazhohen jo vetëm në hartimin e strategjive publike në këtë drejtim, por edhe në zbatimin e tyre me përpikmëri, duke forcuar kontrollin ndaj sigurisë ushqimore, në mbrojtje të konsumatorit.
Njoftim i Institucionit të Presidentit të Republikës
18 shkurt 2022
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, ka dekretuar me shpallje:
1) Ligjin nr. 10/2022 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9863, datë 28.1.2008 “Për ushqimin”, të ndryshuar”; dhe
2) Ligjin nr. 11/2022 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10465, datë 29.9.2011, “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.
Ndryshimet ligjore që synojnë përmirësimin e legjislacionit për lehtësimin e klimës së bizneseve, të cilat kryejnë veprimtari ekonomike në import-eksport në fushat e ushqimit dhe ushqimit për kafshë; marrja e masave për sigurinë ushqimore; dhe sanksionimi në ligj i detyrimit për hartimin e miratimin e një Strategjie për Sigurinë Ushqimore, janë të mirëpritura.
Është me rëndësi që institucionet shtetërore të angazhohen jo vetëm në hartimin e strategjive publike në këtë drejtim, por edhe në zbatimin e tyre me përpikmëri, duke forcuar kontrollin ndaj sigurisë ushqimore, në mbrojtje të konsumatorit.