Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta përmes një postimi në Facebook ka reaguar ndaj fjalorit që kryeministri Rama ka përdorur me Grida Dumën.

Meta i bën thirrje Ramës që të kërkojë ndjesë publike dhe të tërheqë mbrapsht sulmin dhe fjalorin ordiner të përdorur ndaj zonjës Duma.

“E dënoj me ashpërsi dhunën verbale dhe linçimin publik, të papranueshëm për traditën shqiptare dhe çdo shoqëri demokratike, të bërë ndaj zonjës, njëherazi nënë e një fëmije të mitur, Grida Duma.

Asnjë ndarje politike nuk mund t’i japë të drejtë revanshit të rrugaçërisë, për më tepër kur këto sulme të papranueshme për moralin njerëzor dhe etikën institucionale, konsumohen nga personat e veshur me autoritetin e shtetit.

Duke besuar në reagimin e fuqishëm të shoqatave që angazhohen për mbrojtjen e të drejtave të grave, i bëj thirrje Kryeministrit ende në detyrë, të kërkojë ndjesë publike dhe të tërheqë mbrapsht sulmin dhe fjalorin ordiner të përdorur ndaj zonjës Duma.”

Ora news