Linja e kompjuterave Mac ka parë disa përmirësime të jashtëzakonshme për sa i përket fuqisë proçesuese dhe efiçiencës pas zhvillimeve më të reja në Apple Silicon gjatë viteve të fundit. Tashmë duket se Microsoft po përpiqet të ndjekë hapat e Apple, pasi kërkon të krijojë proçesorin e saj të personalizuar dhe të optimizojë Windows 12 për këto proçesorë ARM.
Disa raportime të ndryshme nga Windows Latest tregojnë detajet e këtij proçesori të ri ARM falë kërkesave për punë të listuara nga kompania, ku përfshihen: arkitektë për zhvillimin e SoC Silicon, inxhinier i lartë për verifikimin e dizajnit fizik, inxhinier dizajni themelor si dhe një menaxher me eksperiencë për integritetin e fuqisë së proçesorit.
Shumë nga këto vende pune janë të klasifikuara nën “Microsoft Silicon Team” u publikuan në fund të muajit prill. Nga detajet arrihet të kuptohet se Microsoft ka kuptuar që ka nevojë të investojë shumë dhe të lëvizë shpejt në krijimin e proçesorëve të rinj të personalizuar, për të rritur konkurencën me Apple.
Windows Latest tregon se Windows 12 mund të vijë në vitin 2024, kështu që dhe proçesori duhet të vijë gjatë këtij viti pasi po bëhet një punë e madhe për optimizimin e këtij sistemi për proçesorin e ri. Ky proçesor ARM do të bëjë që Windows 12 të përmirësojë akoma dhe më tepër shërbimet AI që ofron.