Ndërsa mijëra qytetarë protestojnë nëpër rrugë e sheshe në Tiranë e me gjerë, për mbi dy javë kundër qeverisë dhe kryeministrit Rama, duke e akuzuar këtë të fundit për korrupsion, arrogancë, padrejtësi dhe keqqeverisje, ai shfaqet në Zvicër në “Art Basel”, panairi më prestigjioz i artit bashkëkohor në botë, ku prezanton edhe punimet e tij në skulpturë.
Prania e Ramës në një aktivitet të tillë ndoshta nuk do të ngjallte debat në një moment tjetër, por kur vendi përjeton protesta të vazhdueshme dhe akuza të forta ndaj qeverisë, çdo paraqitje publike e kryeministrit merr kuptim tjetër.
Në një kohë kur një pjesë e madhe e shoqërisë po shpreh pakënaqësi të fortë ndaj qeverisjes së tij, kur rrjetet sociale, mediat dhe protestat janë të mbushura me akuza e kritika dhe kërkesa për dorëheqje, imazhi i një kryeministri që ndodhet mes galerive elitare të artit europian bën kontrast të fortë me realitetin e qytetarëve. Ndërkohë kryeministri duket më i përqendruar te vetja dhe imazhi i tij ndërkombëtar, sesa te zemërimi që po shpërthen brenda vendit.
Më shumë polemika shkaktoi përgjigjja e Ramës ndaj atyre që komentojnë pjesëmarrjen e tij në një ekspozitë arti ndërkohë që Shqipëria zjen. Duke kujtuar një deklaratë të bërë rreth 20 vite më parë, ai shkroi se “s’ka bir nëne a bir k… që mund të gjente në xhepin e tij një qindarkë që s’është fituar me punë të ndershme”. Kjo mund të jetë një mbrojtje personale e integritetit të tij, por nuk i përgjigjet thelbit të debatit publik. Qytetarët që protestojnë nuk po kërkojnë një deklaratë për moralin personal të kryeministrit. Ata kërkojnë përgjigje për mënyrën si qeveriset vendi, për standardet e jetesës, për korrupsionin në administratë, për largimin masiv të të rinjve, për drejtësinë dhe për raportin e pushtetit me qytetarin. Ndaj argumenti se s’ka “bir nëne a bir k… që e akuzon për vjedhje” nuk mjafton për të mbyllur debatin politik.
Liderët gjykohen nga rezultatet e qeverisjes dhe nga aftësia për të dëgjuar shoqërinë kur ajo ngre zërin. Kur protestat shpërthejnë, qytetarët presin dialog, reflektim dhe përgjegjësi politike, jo ironi, sarkazëm apo zhvendosje të debatit drejt çështjeve personale. Edi Rama në cilësinë e krijuesit ka të drejtë të ekspozojë artin e tij në Bazel, por si kryeministër mund të sillet sikur asgjë nuk po ndodh në vend, kur një pjesë shumë e madhe e qytetarëve ndihen të papërfaqësuar, të dëshpëruar ose të revoltuar.






