Një 29-vjeçar është arrestuar pasi ishte shpallur në kërkim për kultivimin e kanabis në zonën e Nivicës në Sarandë. 29-vjeçari Klodian Omeri dhe Klajdi Miziri kishin kthyer një bodrum në pronësi të tyre në ‘minierë’ të kultivimit të kanabisit përmes llambave elektrike.
Kapja e Omerit e çon në 3 numrin e të arrestuarve për këtë kultivim kanabisi, ku më herët ishin arrestuar edhe dy elektricistët Vasfi Sali dhe Gazi Hoxhaj të cilët “kishin mbyllur” sytë dhe nuk kishin denoncuar rastin, ndërsa në kërkim vijon të jetë Klajdi Miziri.
29-vjeçarit, banues në lagjen “Gjashtë” i është vendosur masa e sigurimit “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivim i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.
‘Miniera’ e kanabisit u zbulua në një bodrum në fshatin Nivicë të Sarandës, ku hyje brenda përmes një dere sekrete. Atje u kapën 100 bimë kanabisi që rriteshin me 50 llamba elektrike. Rasti i zbulua për shkak të vjedhjes së energjisë elektrike.