Ministri gjerman kundër Kurtit: Ndryshimi e zhvendosja e kufijve nuk na çojnë përpara
Maas ka nisur një fazë intensive takimesh virtuale dhe fizike me zyrtarë të qeverive nga Ballkani perëndimor duke pasur në fokus perspektivën evropiane të rajonit, por krahas kësaj teme, në fokus është edhe normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.
Pas një takimi me homologun e tij serb, Nikola Selakoviç, ministri gjerman tha se administrata e Joe Bidenit është e interesuar që të ketë një zgjidhje në koordinim me BE-në dhe se ai vetë është në pritje të krijimit të qeverisë së re në Prishtinë.
Në lidhje me deklaratat e fundit të Albin Kurtit, për bashkimin me Shqipërinë, Maas tha se “Diskutimet për ndryshimin apo zhvendosjen e kufijve nuk na çojnë përpara”.
Paralelisht me bisedimet midis ministrit të Jashtëm Heiko Maas dhe ministrit të Shtetit Michael Roth, këtë javë në Prishtinë ishte për vizitë përfaqësuesi special i BE-së për dialogun e normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajčák. Vetëm disa ditë më parë, Departamenti i Shtetit i SHBA kishte nënvizuar mbështetjen e SHBA-së për këtë dialog të udhëhequr nga BE-ja me qëllim normalizimin dhe një marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohjen reciproke.
Zgjedhja e Biden si President i SHBA ofron kështu mundësinë për të vepruar edhe një herë në nivel transatlantik dhe me vendosmëri për pajtimin, demokracinë dhe zhvillimin ekonomik në Ballkanin Perëndimor, thuhet në një deklaratë të MPJ gjermane. Një nga temat që mbetet e hapur për t’u sqaruar deri në verë është ndërkohë ecuria e Procesit të Berlinit. Konferenca e fundit e tij do të zhvillohet në verë të këtij viti në Berlin, për herë të fundit nën udhëheqjen e kancelares Merkel. Se në çfarë formati do të vazhdojë kjo nismë, është e nde e paqartë.
Top Channel