Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE) ka deklaruar se nuk ka asnjë tentativë, për të nxjerrë nga ambjentet shtetërore mediat që ka në pronësi Irfan Hysenbelliu.

Sipas MFE, Hysenbelliut i ka mbaruar kontrata shtetërore me shtetin, por gjykata ka vendosur që deri sa të zgjidhet çështja të mos ketë nxjerrje nga ato mjedise.

“Ministria e Financave dhe Ekonomisë, me cilësinë e subjektit qiradhënës, ka njoftuar subjektin permes korrespondences shkresore mbi përfundimin e afatit te kontratës së qirasë për godinat që duhet t’i kthehen shtetit. Deklarata e mediave të zotit Irfan Hysenbelliu, se gjykata e ka shpallur të paligjshme shkresën e MFE është një trillim.
Gjykata ka marrë një vendim pezullimi proceduarial të lirimit të godinave shtetërore, derisa çështje të trajtohet dhe zgjidhet me vendim gjyqësor të formës së prerë”, deklaron ministria. 

Debati ka lindur pasi ditën e sotme, u pretendua nga mediat e Hysenbellout, se Rama ka kërkuar largimin e këtij televizioni nga godina, gjë e cila mohohet nga Ministria e Financave, që sqaron situatën. 

Gjithashtu, paraditen e sotme IKMT ka prishur dy pishina në resortin “Prestige” të Hysenbelliut në Golem, me pretendimin se janë pa leje dhe kanë zaptuar pronën publike. Hysenbelliu i konsideron këto sulme si politike, ndërkohë autoritetet pretendojnë se ai po përdor mediat për të shantazhuar dhe për tu mbrojtur nga zbatimi i ligjit.