Parimet kryesore: Listë e hapur, figura të pastra

Bordi Drejtues i Bindjes Demokratike miratoi sot listën e kandiatëve për deputetë në 12 qarqet e vendit, parimet e kandidimit dhe të përfaqsimit, si dhe programin për zgjedhjet e 25 prillit, i cili do të publikohet ditët në vijim.

Parimi ynë bazë në këto zgjedhje mbetet lista e hapur, i cili është kushti I parë që duhet të plotësojnë të gjithë ata që kanë pranuar të kandidojnë në siglën tonë.

Të gjithë kandidatët e Bindjes Demokratike zotohen se pavarësisht renditjes në listë, në çdo rast,mandatin do ta marrin ata kandidatë që kanë siguruar më shumë vota preferenciale se të tjerët brenda zonës zgjedhore. Për këtë arsye, të gjithë kandidatët e Bindjes zotohen se do të tërhiqen në cdo rast nga mandati i deputetit nëse një tjetër kandidat brenda listës ka siguruar më shumë vota preferenciale .

Një tjetër parim që u miratua në mbledhje është barazia absolute e të gjithë kandidatëve midis njëri tjetrit
Që do të thotë se numri rendor në listë ka vetëm vlerë konvencionale dhe jo detyruese në shpërndarjen e mandateve. I njëjti parim vlen edhe për kryetarin e partisë, i cili do të garojë vetëm në një zonë zgjedhore dhe jo në 4 të tilla, duke mos e shfrytëzuar mundësinë që ja njeh ligji zgjedhor.

Një tjetër çështje që u diskutua në mbledhje ishte integriteti I përfaqsuesve të Bindjes Demokratike, të cilët janë figura të pastra në aspektin moral dhe ligjor.

Të gjithë kandidatët e Bindjes Demokratike janë individë të paakuzuar ndonjëherë për ndonjë aferë korruptive, probleme me ligjin e dekriminalizimit dhe të shkuarën komuniste.
Për këtë shkak pjesë e listave të kandidatëve tanë janë përzgjedhur të jenë vetëm individë që nuk kanë pasur kurrë probleme me ligjin e dekriminalizimit apo ndonjë akuzë ligjore për korrupsion.

Ndërkohë bordi vendosi me unanimitet që e gjithë lista e kandidatëve të Bindjes Demokratike do të dërgohet për t’u konfirmuar nga autoriteti për informimin mbi dokumentat e ish- sigurimit të shtetit.

Egnatia news