“Zërat” për sabotim në gazsjellësin rus të gazit natyror “Nord Stream” po shtohen pasi brenda 24 orëve, tre linja nën det të sistemit në Baltik pësuan dëme të konsiderueshme.

Në të njëjtën kohë, sizmologët në Danimarkë dhe Suedi regjistruan të hënën shpërthime të forta në zonat ku u vërejtën rrjedhje në tubacionin Nord Stream, siç raportohet nga Qendra Kombëtare Sizmologjike Suedeze (SNSN) e Universitetit Uppsala .

 “Nuk ka dyshim se këto ishin shpërthime,” tha sizmologu Bjorn Lund për transmetuesin publik SVT.

Kompania administruese e gazsjellësit rus, Kremlini, qeveria gjermane, Polonia dhe Danimarka nuk e përjashtojnë mundësinë e sabotimit.

Në një deklaratë sot, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se mundësia e sabotimit nuk mund të përjashtohet, ndërsa fotot dhe videot e shpërndara në rrjet nga vendi ku ka ndodhur rrjedhja tregojnë seriozitetin e situatës.

Siç njoftoi kompania menaxhuese “Nord Stream AG” , brenda një dite, tre linja nënujore të gazsjellësit “Nord Stream” në Baltik pësuan dëme “të paprecedentë”, ndërsa analistët politikë i referohen ndërhyrjes së një “dore të huaj.”