Punimi i thuprës është një prej traditave të komunitetit rom e egjiptian që rrezikon të zhduket.
Në Elbasan, artizanët kanë mbetur të paktë dhe janë në moshë të thyer, ndërsa të rinjtë nuk po e mësojnë më zanatin e të parëve edhe pse kërkesat për objekte të tilla janë gjithmonë në rritje.
Qani Nuredini dhe Pëllumb Mustafaji, përkatësisht 75 dhe 65 vjeç, janë dy ndër mjeshtrat e fundit të punimit të thuprës në Elbasan.
Tregojnë se zanatin e mësuan nga paraardhësit e tyre në moshë të re dhe thuprën nuk e kanë ndarë kurrë nga dora.
Më të krijojnë kanistra, shporta e objekte të tjera edhe me porosi praktike në përdorim por edhe me vlera artistike, të cilat i kalojnë edhe kufijtë e Shqipërisë.
- Punimet e thuprës historikisht kanë qenë pjesë e traditës së komunitetit rom dhe egjiptian, por të rinjtë që pranojnë ta çojnë përpara janë të paktë.
Siç tregojnë artizanët është një punë që ka lodhje e kurrë nuk të bën të pasur, por ama u ka siguruar bukë me ndershmëri në tavolinë.
Disa vite më parë, aktivistët hodhën idenë e zëvendësimit të koshave të plastikës nëpër zyra me punimet e thuprës, për të mbështetur mjeshtrat e fundit dhe për të nxitur të rinjtë të mësojnë zanatin për të krijuar këto objekte që po kërkohen gjithmonë e më shumë.