Policia bëri të mundur mbrëmjen e sotme arrestimin e 42 vjeçarit Klered Bozhanaj, autorin e plagosjes së efektivit të Shqiponjave mbrëmjen e djeshme.
Pas pothuajse 24 orësh aksion kërkimi, ku u angazhuan 600 forca policore, u bë e mundur prangosja e Bozhanajt në afërsi të banesës së tij.
Mbrëmjen e djeshme në zonën e Kinostudios, Bozhanaj plagosi efektivin Edlir Alleshi. Një patrullë e Shqiponjave u vu në ndjekje të Bozhanajt, pasi morën informacion që qarkullonte dikush i armatosur në zonën e Porcelanit. 42-vjeçari iu kthye dhe qëlloi drejt efektivëve duke plagosur Edlir Alleshin me dy plumba në bark.
Gjatë arrestit Bozhanajt iu sekuestrua me vete arma e plagosjes dhe një sasi lënde narkotike.
Njoftimi i Policisë:
DVP Tiranë
Policia vë në pranga autorin e plagosjes me armë zjarri të punonjësit të Policisë mbrëmjen e djeshme.
Në vijim të veprimeve kërkimore të kryera nga strukturat e DVP Tiranë, për kapjen e autorit të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, shtetasit Klered Bozhanaj, 42 vjeç, i cili ka tentuar të vrasë me armë zjarri punonjësin e Policisë, inspektor E. A., ju informojmë se:
Gjatë kërkimeve intensive të zhvilluara për kapjen e shtetasit Klered Bozhanaj, strukturat e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar autorin e dyshuar.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit pistoletë, e përdorur gjatë krimit.