Deputetja Monika Kryemadhi i është bashkuar pak momente më parë protestës së thirrur nga opozita në Tiranë. Ajo është shprehur për gazetarët se sot dilte në shesh si qytetare dhe nuk kishte dijeni për organizimin.

“Sot pjesëmarrja do të jetë shumë e madhe. Nuk mendoj se do jenë vetëm mbështetësit e PD, do jenë dhe nga zona gri. Ajo çka kam parë sot, kam vënë re se pjesa më e lëkundur, ajo që është skeptike ndaj politikës do të dalë për të thënë se ne jemi këtu. Nuk e di sa do të zgjasë sepse nuk jam pjesë e organizimit. Unë dal si qytetare, nuk dal për liderët politikë”, u shpreh ajo.

Më tej, Monika Kryemadhi është pyetur dhe për foton e rrjedhur në media, të Ilir Metës me Dorian Duçkën, Agron Nezën dhe disa shtetas kinezë. Sipas deputetes së Partisë së Lirisë, ai ka qenë takim zyrtar dhe Meta ka qenë me ambasadorin kinez dhe stafin e tij.

“Më bëhet shumë qejfi që djali i hallës së Ilir Metës ka nxjerrë arkivin e 2013 ku Ilir Meta ishte në një takim me ambasadorin kinez. Fotografitë e vjetra nuk e shpëtojnë Edi Ramën sepse as Ilir Meta, as Shkëlzen Berisha, as Sali Berisha nuk kanë paguar para për të korruptuar agjentin e FBI-së”, vijoi ajo.